Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të arritshmërisë dhe të maturës: "Keqprojektuar e keqmenaxhuar"
Këshilli i Prindërve i Kosovës, ka reaguar për testin e arritshmërisë, që sipas tyre, ka qenë i “keqprojektuar, i keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të.”
Këshilli i Prindërve ka kërkuar që të pezullohet testi.
“Më e pakta është që ato teste të pezullohen. Ndryshe vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre.” – thuhet në reagimin e tyre.
“Ky sistem arsimor është edhe i skaduar e edhe i dëmshëm (në tërësinë e tij)! Duhet një plan kombëtar, me pajtim të të gjitha palëve, për ta ringjallur, përditësuar dhe reformuar në palcë sistemin arsimor parauniversitar në Kosovë.” – thuhet ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
Fundi i vitit shkollor 2022-23
I erdhi fundi këtij viti shkollor, me qershinë mbi tortë: testin e arritshmërisë. Nuk ka ngjarje më përshkruese të këtij viti shkollor sesa një testim i këtij soji: i keqprojektuar, i keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të.
Ndërsa i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t'i shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë.
Ato teste janë shembuj konkret se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë "paushalli" i politikbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë.
Më e pakta është që ato teste të pezullohen. Ndryshe vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre.
Po e mbyllim një vit shkollor që as emrin e as mbiemrin se ka siç lexohet. Viti duhet të fillonte më 1 shtator dhe t'i shërbente vërtet shkollimit.
Në këtë pikë ku jemi, të vije shumë rëndë të shikosh mbrapa; por (sakaq) trishtohesh të çosh kokën për të parë vitin që vjen. E dhimbshme, sa s'ka, që më 1 shtator 2023 me mijëra fëmijë nuk do të jenë në bankat shkollore të Kosovës, por diku gjetkë.
Një sistem i kalbur arsimor po rrënon shpresën e prindërve për të rritur fëmijët në atdheun që ëndërronin të preheshin përgjithmonë.
Ky sistem arsimor është edhe i skaduar e edhe i dëmshëm (në tërësinë e tij)! Duhet një plan kombëtar, me pajtim të të gjitha palëve, për ta ringjallur, përditësuar dhe reformuar në palcë sistemin arsimor parauniversitar në Kosovë.
