Këshilli Gjyqësor i Kosovës i reagon ashpër Haxhiut për “Vettingun” – KGJK nuk mbështet iniciativën me ndryshime kushtetuese
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Drejtësisë, për reformën e thëllë në drejtësi, e njohur si “Vetting”.
KGJK, ka paralajmëruar ministrinse se nuk e mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese që kanë për qëllim iniciativën e ndryshimeve kushtetuese për aplikimin e “Vetting-ut”.
Reagimi i plotë:
"Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka analizuar dhe konsultuar me kujdes Opinionin e Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. KGJK konsideron se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias janë vërtetë të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të gjyqësorit në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.
Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentat ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shkoqitur praktikat e vendeve tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e gjyqësorit të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës se Kosovës.
Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk mbështet, dhe nuk do të merr pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë gjyqësorit për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të Këshillit të KGJK-së të cilët duhet të jenë përhershëm.
Këshilli Gjyqësor do të vazhdoj me reformën shumëdimensionale, e cila tashmë është reflektuar dhe ka dhënë rezultate të forta në procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e performancës së gjyqtarëve në sistem, avancimin e tyre në instanca më të larta gjyqësore si dhe zbatimin e masave disiplinore për të përforcuar llogaridhënien.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KGJK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të gjykatave, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja. Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KGJK do themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë."