Kërkohet paraburgim për tre persona, dyshohen për ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tre personave, të dyshuar për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Të pandehurit me inicialet H.K., A.G. dhe E.G. dyshohen se kanë pranuar para për t’u mundësuar kandidatëve kalimin e testit teorik për patentë-shofer.
Sipas Prokurorisë, më 6 shkurt 2026, H.K., instruktor i një autoshkolle, dhe A.G., ish-instruktor, dyshohet se kanë pajisur dy kandidate me kamera dhe dëgjuese të fshehta.
Përmes këtyre pajisjeve, të dyshuarit dyshohet se ua kanë transmetuar përgjigjet e sakta gjatë testimit.
Një rast i ngjashëm dyshohet se ka ndodhur edhe më 31 gusht 2026, kur H.K. dhe E.G. dyshohet se kanë ndihmuar dy kandidatë të tjerë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, kandidatëve u janë dhënë veshje me pajisje elektronike të montuara dhe kufje, përmes të cilave do të pranonin përgjigjet e sakta.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.