Kërcënimi bërthamor i Putinit: ShBA-ja shpenzon 290 milionë dollarë për barna kundër rrezatimit - NACIONALE

Kërcënimi bërthamor i Putinit: ShBA-ja shpenzon 290 milionë dollarë për barna kundër rrezatimit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 290 milionë dollarë për ilaçet kundër rrezatimit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e ka paralajmëruar Perëndimin se është gati të përdorë armë bërthamore për ta mbrojtur Rusinë.

Sipas Shërbimeve Shëndetësore dhe Njerëzore të ShBA-së, qeveria ka blerë një sasi të konsiderueshme të ilaçit "Nplate", i cili e stimulon prodhimin e trombociteve nga trupi dhe e redukton gjakderdhjen e shkaktuar nga rrezatimi.

Megjithatë, sipas "Sky News", Shërbimet Shëndetësore kanë mohuar se masa është marrë si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë, duke thënë se kjo blerje ishte vetëm një përpjekje për të qenë më të përgatitur për të shpëtuar jetë pas emergjencave radiologjike dhe bërthamore.

Ilaçi i blerë nga qeveria është prodhuar nga kompania farmaceutike në Kaliforni, "Amgen", dhe mund të përdoret për t'i trajtuar të rriturit dhe fëmijët.

Kujtojmë se, në fillim të këtij muaji, Putini u zotua për t'i mbrojtur rajonet e reja të aneksuara në Ukrainë me "të gjitha mjetet e disponueshme", në një ceremoni nënshkrimi të Kremlinit, ku ai gjithashtu e kritikoi Perëndimin.

Duke e pretenduar 18% të Ukrainës si pjesë të Rusisë, hapësira për kërcënime bërthamore rritet, pasi Putini mund të konsiderojë çdo sulm në këto territore si një sulm ndaj vetë qeverisë.

Lajme të ngjashme