Kërcënimet ruse e kineze: SHBA do të zhvillojë satelitë për gjurmim të raketave hipersonike
Pentagoni ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të shpenzojnë 1.3 miliardë dollarë për të zhvilluar satelitë të avancuar që do të jenë në gjendje të gjurmojnë më mirë kërcënimet e raketave hipersonike, duke njoftuar edhe për dy kontrata të reja që do të vendosin sistemet e zbulimit dhe gjurmimit në orbitë deri në vitin 2025.
Derek Tournear, drejtor i Agjencisë së Zhvillimit të Hapësirës, tha se kontratat do të ofrojnë 28 satelitë, ndërsa ShBA-ja po lëviz për të zgjeruar dhe përmirësuar në masë të madhe aftësinë e saj për të kundërshtuar kërcënimet në rritje nga Rusia dhe Kina.
Të dyja vendet kanë bërë përparime në zhvillimin e raketave hipersonike, të cilat janë më të vështira për t'u gjurmuar dhe goditur, sepse manovrojnë më shumë gjatë fluturimit sesa armët konvencionale që udhëtojnë në shtigje të parashikueshme.
Ndërsa, vitin e kaluar Kina testoi atë që zyrtarët amerikanë thanë se ishte një raketë hipersonike dhe Rusia i ka përdorur këto armë gjatë gjithë luftës në Ukrainë.
Armët hipersonike përkufizohen si çdo gjë që udhëton përtej 5 Mach, ose pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit. Kjo i bie rreth 6100 km/h. E ndërsa, raketat balistike ndërkontinentale e kalojnë shumë atë prag, mangësia e tyre është se udhëtojnë në një rrugë të parashikueshme, duke bërë të mundur kapjen e tyre.
