KEK suspendon dy zyrtarë nga Divizioni i Tregtimit me Energji Elektrike
Një javë pas publikimit të hulumtimit në Buletini Ekonomik rreth ankandeve për shitjen e tepricave të energjisë elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka suspenduar dy zyrtarë nga Divizioni i Tregtimit me Energji Elektrike në këtë ndërmarrje, raporton Buletini Ekonomik.
Fjala është për zyrtarët Hasan Kerolli dhe Granit Beqiraj, të dy pjesë e divizionit për tregtim me energji elektrike në KEK.
Buletini Ekonomik nga burime të sigurta mëson se Kerolli e Beqiraj janë suspenduar për një periudhë gjashtë muajore.
Zyrtarisht KEK nuk u është përgjigjur gjatë ditë së sotme pyetjeve të mediumit rreth këtij rasti.
Përmes thirrjes telefonike, njëri nga të supenduarit, Hasan Kerolli, ka konfirmuar suspendimin, derisa e ka quajtur të padrejtë këtë vendim.
“Nuk është i drejtë vendimi. Ne jemi vetëm zyrtarët të thjeshtë. Për tregtimin në KEK ka hierarki dhe për gjithcka ka qenë në dijeni nga kryeshefi i ndërmarrjes, e më poshtë. Ne vetëm i kemi ekzekutuar vendimet që i kanë marrë menaxhmenti”, ka thënë Kerolli.
Buletini Ekonomik ka provuar ta marrë një qëndrim edhe të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK, Gramos Hashani, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Ndryshe, ky vendim vjen një javë pas publikimit të një hulumtimi disamujor në Buletini Ekonomik, rreth mënyrës sesi KEK i kishte organizuar ankandet me rastin e shitjes së tepricave të energjisë elektrike.
Gjetjet e hulumtimit ngrenë dyshime për kurdisje të ankandeve në favor të kompanive Noa Energy Trade dhe ETMT Energy, si dhe për shmangie të qëllimshme të bursës shqiptare ALPEX.
Përveq përqëndrimit të ankandeve në vetëm dy kompani, hulumtimi shpërfaq me fakte edhe ndërhyrjen e tregtarëve të energjisë në KEK për të pamundësuar funksionalizimin e një platforme elektronike për shitblerjen e energjisë elektrike. Kjo platformë pritej që të pamundësonte ndërhyrjet dhe manipulimet gjatë procesit të organizimit të ankandeve.