KEDS: Kemi angazhuar rreth 1000 punëtorë dhe makineri të mjaftueshme për festat e fundvitit
Kompani KEDS ka njoftuar se kanë angazhuar rreth 1 mijë punëtorë me qëllim që të ketë rrymë për vitin e ri.
Njoftimi:
KEDS njofton të gjithë konsumatorët se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për festat e fundvitit.
Përgjatë tërë verës janë kryer të gjitha mirëmbajtjet e parapara të rrjetit elektrik shpërndarës dhe janë implementuar afro 280 projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm.
Për festat e fundvitit, KEDS ka angazhuar rreth 1000 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që konsumatorët tanë të kremtojnë me drita . Përveç tyre, KEDS ka angazhuar edhe makineri të mjaftueshme si mbështetje logjistike e punëtorëve në mënyrë që intervenimi, në rast nevoje, të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv. Po ashtu, për festat e fundvititi do të jenë në dispozicion 135 makineri e automjete, prej tyre: 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove.
Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara.
U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur. Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë .
Falënderojmë konsumatorët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre sfidave.
Paçi një vit të mbarë e të suksesshëm, ju dhe familjet e juaja!
Gëzuar Viti i Ri 2025!