KDI: Statusi juridik i Kuvendit pas skadimit të afatit duhet të sqarohet përmes një verdikti të ri nga Kushtetuesja
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar qartësi juridike nga Gjykata Kushtetuese lidhur me pasojat e tejkalimit të afatit 30-ditor për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
Sipas KDI-së, “konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është një hap i domosdoshëm për funksionimin normal të institucioneve demokratike dhe për tejkalimin e krizës institucionale”.
Instituti thekson më tej se konstituimi eventual pas tejkalimit të afatit “ngre një çështje të rëndësishme juridike, e cila kërkon përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”.
KDI rikujton se Gjykata ka përcaktuar që deputetët duhet që “sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.
Instituti vlerëson se “subjektet politike dhe deputetët e tyre nuk mund të përcaktojnë vetë kuptimin dhe efektin juridik të dispozitave kushtetuese dhe aktgjykimeve të Gjykatës”.
Për këtë arsye, KDI u ka kërkuar deputetëve dhe palëve të autorizuara të kërkojnë qartësi për pasojat e tejkalimit të afatit, statusin juridik të konstituimit pas skadimit të tij dhe veprimet që Kuvendi do të ndërmarrë më pas.
“KDI beson që kjo çështje prek sigurinë juridike dhe stabilitetin institucional të vendit”, thuhet në reagim, duke shtuar se “qytetarët e Kosovës kanë nevojë për institucione që funksionojnë, por kanë po aq nevojë që këto institucione të funksionojnë brenda rendit kushtetues”.