KDI: Nuk ka vullnet për marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur një konferencë për media, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ku u shpalos një analizë e shkurtër lidhur me këtë çështje me titullin “Dialogu Kosovë-Serbi: një hap para, tre hapa mbrapa”.
Kjo analizë fokusohet në tri aspektet të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nevojën për progres drejt marrëveshjes finale, nevojën për zhvillimin e dialogut të brendshëm me komunitetin serb në Kosovë, si dhe nevojën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë ndaj Kuvendit dhe publikut të gjerë lidhur me këtë proces.
Me këtë rast, Violeta Haxholli nga KDI, ka theksuar se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet faktor i rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës në veçanti, por edhe stabilitetin në rajon në përgjithësi.
“Me gjithë marrëveshjet e shumta përgjatë gjysmës së parë të procesit, dialogu ka prodhuar paqartësi, ndërsa dy vendet ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale. Diskutimet në kuadër të dialogut janë zhvilluar kryesisht për tema teknike, për të cilat është diskutuar e ri diskutuar varësisht nga zhvillimet në terren”, ka thënë Haxholli.
“Në ndërkohë mbeten shumë tema për të cilat ende duhet të arrihen dakordime mes palëve, ndërsa duhet të diskutohet edhe mbi marrëveshje të cilat janë arritur shumë moti, por që nuk janë zbatuar në praktikë siç është p.sh. marrëveshja e diplomave, IBM-i etj”, deklaroi më tutje ajo.
Haxholli tha se tani takimet e dialogut po mbahen vetëm si reaksion ndaj zhvillimeve në terren siç ishte takimi i 18 gushtit pas vendimit të Qeverisë lidhur me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes. Ndërsa, nuk duket se ka vullnet politik të palëve për të lëvizur përpara drejt marrëveshjes finale edhe pse kjo mbetet kërkesë dhe kriter i Bashkimit Evropian për të dy vendet për të lëvizur përpara drejt proceseve integruese.
“Palët duhet të rifillojnë sa më parë diskutimet mbi elementet e kësaj marrëveshje në mënyrë që të përafrohen tek zgjidhja përfundimtare, e cila pastaj do të kishte efekt domino edhe në zgjidhjen e çështjeve teknike. Në të kundërtën, mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes finale, do të vazhdojë të reflektojë në situatën në terren, duke mbajtur një status quo të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione”, deklaroi Violeta Haxholli.