Katër organizata jo-qeveritar i kërkojnë Qeverisë që t`i hap të dhënët e Fondit të Sigurisë
FOL, IKD, INPO dhe YIHR-KS i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të hap të dhënat e Fondit të Sigurisë, të cilin ekzekutivi e ka cilësuar sekret.
Përmes një njoftimi, këto OJQ iu kanë bërë thirrje institucioneve kompetente që t`i deklasifikojnë të dhënat e këtij fonti.
“Organizatat jo-qeveritare të poshtëshënuara ftojnë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke deklasifikuar këto informata. Përmes vendimit nr.12/2022, ish-drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli, i kishte klasifikuar si “KONFIDENCIALE” të gjitha informatat në lidhje me “Fondin e Sigurisë”.”, është thënë në njoftimin e tyre.
Sipas tyre, më nuk ka asnjë arsyeje që të vazhdohet të mbahen të fshehura të dhënat për këtë fond.
“Klasifikimi i këtij dokumenti ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175. Nënvizimi se “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë” është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte. Interpretimi kaq i gjerë i cënimit të “sigurisë rajonale dhe më gjerë” përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar. Për më tepër, një deklarim i tillë, është edhe paradoksal meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale”, është thënë në njoftim.