Kapen tre kilogramë heroinë në Fushë Kosovë, policia arreston katër persona
Policia e Kosovës ka njoftuar se si rezultat i një pune hetimore ka sekuestruar tre kilogramë narkotik të llojit heroinë në Fushë Kosovë dhe si rrjedhojë janë arrestuar katër të dyshuar, dy femra dhe dy meshkuj.
“Policia e Kosovës, konkretisht njësitë policore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – DHTN, si rezultat i punës hetimore dhe operative në teren, me datë 07.11.2022 rreth orës 11:00 në Fushë Kosovë kanë ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar i shoqëruar nga e dyshuara femër kosovare, nën dyshimin se i njëjti ishte duke transportuar substancë narkotike të llojit Heroinë”, njofton policia.
Policia thotë se pas ndalimit të mjetit të lartcekur përkundër tentativës së personit të dyshuar për të ikur nga vendi i ngjarjes, i njëjti është ndaluar nga zyrtarët policor ku gjatë kontrollit të realizuar tek automjeti i tij janë gjetur gjashtë paketime të mbështjellura, me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë me peshë prej gjithësej 3 kg 64 gr.