Janjiq për emërimin e Rashiqit: Kurti ka bërë hapin e duhur, por në aspektin politik është e komplikuar
Njohësi i zhvillimeve politike, Dushan Janjiq ka folur lidhur me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për emërimin e Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Kthim dhe Komunitete.
Në një përgjigjie për Gazeten Express, Dushan Janjiq, ka thënë se nuk është i befasuar. Ai ka thënë se ka pritur që do të ndodhte diçka e tillë.
“Unë mund të them se s’jam i befasuar. E prisja që diçka si kjo do të ndodhte”, ka thënë Janjiq.
Ai tutje ka thënë se kjo është në rregull në aspektin ligjor dhe se tha se Kurti ka bërë hapin e duhur.
Sipas tij, Kurti po provon që të plotësojë vakumin institucional, e që sipas tij është shumë e rëndësishme për Kosovën.
“Kjo është në rregull nga aspekti ligjor. Në pikëpamjen e Kosovës, Kurti ka bërë hapin e duhur. Por në aspektin politik është e komplikuar. Në këtë moment mund të them që Kurti po provon që të plotësojë vakumin institucional, që është shumë e rëndësishme për Kosovën. Por nuk jam i sigurt që modeli i njëjtë do të funksionojë edhe për Veriun, kur kemi të bëjmë me zyrtarët lokalë. Por kjo është çështje tjetër”, ka thënë ndër të tjera Janjiq.
Në anën tjetër, Janjiq poashtu ka thënë se Vuçiq dhe Lista Serbe vendosën që të lëshojnë institucionet me qëllimin për të krijuar krizë institucionale në Kosovë.
“Vuçiq dhe Lista Serbe vendosën që të lëshojnë institucionet me qëllimin për të krijuar krizë institucionale në Kosovë. Në anën tjetër përgjigja e Kurtit është e drejt dhe ligjore. Nëse është e mjaftueshme nuk jam i sigurt. Sepse çështja është më e thellë, ka të bëjë me konfliktin rreth statusit, rreth kontrollit të territorit. Për këtë them që është në rregull për të stabilizuar institucionet qendrore, por problemi është komunat që s’janë plotësisht të integruara. Për këtë them se s’jam i sigurt që mund të funksionojë për Veriun e Kosovës”, ka thënë Janjiq.
