Izraeli thotë se ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut në Liban dhe zëvendësin e tij
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë thënë se kanë eliminuar një komandant të lartë të Hezbollahut në njësinë elite të këtij grupi, Forca Radwan, bashkë me zëvendësin e tij, gjatë një sulmi në jug të Libanit të mërkurën.
Natën e kaluar, ushtria izraelite tha se aeroplanët luftarakë goditën një ndërtesë që përdorej nga Hezbollahu në Nabatieh, duke i vrarë Ali Muhammad al-Debes dhe zëvendësin e tij, Hassan Ibrahim Issa, raporton gazeta "The Times of Israel".
Sipas ushtrisë izraelite, Al-Debes, komandant në Forcën Radwan, ishte njëri nga organizatorët prapa sulmit me bombë në udhëkryqin Megiddo në veri të Izraelit në mars të vitit 2023 dhe kishte planifikuar e kryer sulme të tjera kundër Izraelit, përfshirë periudhën e luftës së tanishme.
Në raportime të medieve thuhet se ai ishte përgjegjës për çështje palestineze në grupin e Hezbollahut.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë, gjithashtu, se kanë goditur disa pozicione të Hezbollahut gjatë disa orëve të kaluara, në Blida dhe Maroun al-Ras, në jug të Libanit.
The IDF says it struck several Hezbollah positions in the last few hours, in south Lebanon's Blida and Maroun al-Ras. pic.twitter.com/hMirGxvYNl
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) February 15, 2024