Izraeli i ndalon disa anije me ndihma humanitare për Gazën, arrestohen aktivistët - NACIONALE

Izraeli i ndalon disa anije me ndihma humanitare për Gazën, arrestohen aktivistët

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Forcat detare izraelite i kanë ndaluar anijet që po bartnin ndihma humanitare për në Gaza dhe i kanë arrestuar aktivistët që ndodheshin në to, përfshirë suedezen e famshme, Greta Thunberg.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se disa anije që e formojnë flotën ndërkombëtare të nisur për në Gaza “janë ndaluar në mënyrë të sigurt” dhe personat që ndodheshin në to po dërgoheshin në një port izraelit, raporton televizioni BBC.

Kjo ministri shtoi se forcat detare u kishin thënë anijeve që ta ndryshonin drejtimin, përderisa “po i afroheshin një zone aktive të luftimeve”.

Të enjten herët në mëngjes, flota ndërkombëtare tha se 30 anije ende “po lundrojnë fuqishëm për në Gaza” dhe ndodheshin rreth 85 kilometra larg destinacionit të synuar.

Drejtuesit e flotës e përshkruan pengimin e anijeve si “të paligjshëm” dhe “jo një akt të mbrojtjes” por “një akt të pacipë të dëshpërimit”.

Grupi ka pretenduar se njëra prej anijeve të flotës “qëllimisht u përplas në det” dhe tha se anije të tjera janë goditur me topa uji.

“Ata do të sulmojnë një mision civil paqësor, sepse suksesi i ndihmave humanitare e nënkupton dështimin e rrethimit të tyre [ndaj Gazës]” – thanë organizatorët.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se flota ishte njoftuar se “po shkelte një bllokadë detare të ligjshme” që i mbulon ujërat afër Gazës – edhe pse është e paqartë nëse anijet ishin futur në zonën e bllokuar.

Kjo ministri publikoi pamje nga pengimi i anijeve, ku aktivistes Thunberg po i ofroheshin ujë dhe jelek shpëtimi nga një pjesëtar i ushtrisë izraelite.

Nga transmetimi i drejtpërdrejtë i lundrimit lihet të kuptohet se jo të gjitha nga 44 anijet janë ndaluar dhe jo tërë ekuipazhi është evakuuar./Nacionale

Lajme të ngjashme