Izraeli e kap zonën neutrale të Golanit, pasi trupat siriane u larguan nga pozicionet - NACIONALE

Izraeli e kap zonën neutrale të Golanit, pasi trupat siriane u larguan nga pozicionet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se ushtria e vendit të tij e ka marrë përkohësisht kontrollin e një zone të demilitarizuar neutrale në Rrafshnaltën e Golanit, duke thënë se marrëveshja e vitit 1974 për shtensionim me Sirinë kishte “kolapsuar”, pasi rebelët e morën kontrollin e vendit fqinj.

Netanyahu tha se e kishte urdhëruar ushtrinë izraelite për të hyrë në zonën neutrale dhe për t’i “komanduar pozicionet afër” nga pjesa e pushtuar e Golanit, raporton televizioni BBC.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë forcë armiqësore që ta ngrejë veten në kufirin tonë” – tha ai.

Një vëzhgues lufte me bazë në Britaninë e Madhe tha se trupat siriane të shtunën i kishin braktisur pozicionet e tyre në provincën Quneitra, një pjesë e të cilës shtrihet brenda zonës neutrale.

Të dielën, ushtria izraelite u tha banorëve të pesë fshatrave siriane brenda zonës që të qëndronin në shtëpitë e tyre deri në një njoftim tjetër.

Rrafshnalta e Golanit është zonë gurore rreth 60 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit sirian, Damask.

Izraeli ia kishte kapur Golanin Sirisë në fazën përfundimtare të Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe në mënyrë të njëanshme e kishte aneksuar atë më 1981. Veprimi nuk ishte njohur nga komunitetit ndërkombëtar, edhe pse Shtetet e Bashkuara e bënë këtë në mënyrë të njëanshme më 2019.

Lëvizja e Izraelit në zonën neutrale erdhi pasi luftëtarët rebelë sirianë e kapën kryeqytetin Damask dhe e rrëzuan regjimin e Bashar al-Assadit. Ai dhe babai i tij kishin qenë në pushtet që nga viti i largët, 1971./Nacionale

Lajme të ngjashme