Ismail dhe Helena Kadare thonë se “nuk e njohin shkrimtaren” që fitoi “Nobel”
Çmimi “Nobel” për Letërsi për vitin 2022 iu nda shkrimtares franceze Annie Ernaux “për guximin dhe mprehtësinë e rafinuar me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”, por shkrimtari shqiptar Ismail Kadare që jeton gjithashtu në Francë, është shprehur komplet indiferent ndaj koleges së saj. Kur “Euronews Albania” e takoi Ismail dhe Helena Kadare duke pirë kafe, disa orë pasi Akademia suedeze ndau për shkrimtaren Ernaux çmimin më prestigjioz në letërsi, çifti i shprehën të mos kenë dëgjuar ndonjëherë për shkrimtaren.
Edhe pse Ismail Kadare rezervohet nga deklaratat nëse e njeh apo jo shkrimtaren e as ta komentojë vendimin e Akademisë, ishte bashkëshortja e tij, Helena që nuk ngurroi të fliste. Me një gjuhë indiferente, Helena Kadare, u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk e kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, thotë ajo për “Euronews Albania”.
