Ish-sekretarja e VV-së: Albin Kurti është aktivisti më i mirë, s’është lehtë ta kesh bashkaktivist
Vlora Haxhimehmedi, ish-sekretarja Organizative e Lëvizjes Vetëvendosje, dje ka mbajtur fjalimin përshëndetës nga ky post, të cilin e mori pas ndarjes së krahut të PSD-së nga LVV.
Në video mesazhin që u dëgjua në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së, ajo ka pasur fjalë të mëdha për liderin e saj, Albin Kurtin.
Haxhimehmedi e cilësoi Kurtin si aktivistin më të mirë të LVV-së, duke shtuar se nuk është lehtë të kesh atë bashkëpartiak.
“Më së shumti gjatë këtij rrugëtimi kam mësuar nga aktivisti jomë më i mirë, Albin Kurti, i cili për mua reprezenton jetësimin e një ideali që na bashkon. Nuk është lehtë me pasë Monin e Arbenin, Arbnorin e Astritin si udhërrëfyes. Nuk është lehtë me pasë Albinin si bashkëaktivist. Kërkon sakrifica të mëdha, me angazhim e punë për të tjerët dhe aspak për vete. Nuk di sa kemi mund të arrijmë këtë deri tash. Është me rëndësi që secili prej neve me ja shtru këtë pyetje dhe me përdorë si motivim për punët që na presin”, tha ndër të tjera zonja Haxhimehmedi.
Ndryshe, në vend të Haxhimehmedit, në postin e Sekretarit Organizativ të LVV-së është zgjedhur Alim Rama.