Ish-presidenti Trump e padit qeverinë amerikane për bastisjen e rezidencës së tij nga FBI-ja
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën paraqiti një padi kundër qeverisë amerikane për bastisjen e shtëpisë së tij luksoze, “Mar-a-Lago” nga FBI-ja, duke kërkuar që t’ia ndalojë përkohësisht kësaj agjencie leximin e materialeve derisa të caktohet një zyrtar i posaçëm i gjykatës për t’i shqyrtuar dokumentet.
Siç raporton gazeta “The Guardian”, duke i cituar avokatin e Trumpit, Jim Trusty, dhe dy burime të afërta me këtë çështje, në padi pretendohet se gjykata duhet të caktojë një zyrtar të posaçëm – zakonisht një avokat ose gjykatës të pensionuar -, sepse FBI-ja mund të ketë sekuestruar materiale të privilegjuara gjatë bastisjes dhe Departamenti i Drejtësisë nuk duhet të vendosë vetë se çfarë mund të përdorë në hetime.
Bastisja, e kryer me 8 gusht, u bë me qëllim që të kërkoheshin dokumente dhe materiale që ish-presidenti besohet se i ka marrë nga Shtëpia e Bardhë me rastin e largimit nga pushteti.
Është raportuar se bastisja është kryer sipas Aktit të Spiunazhit dhe se në mesin e dokumenteve të konfiskuara janë në lidhje me armët bërthamore.