Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet me gjashtë vjet burg për spiunazh në favor të BIA-s së Serbisë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Hysri Selimin me gjashtë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për veprën penale të spiunazhit në favor të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi kishte bashkëpunuar me zyrtarë të BIA-s, duke u dhënë informacione për persona të radikalizuar, rrymat vehabiste në Kosovë, funksionimin e mesxhideve, si dhe të dhëna të tjera me interes për shërbimin serb.
Prokuroria pretendon se ai kishte takuar zyrtarë të BIA-s në Vranjë, Nish dhe Bujanoc, ndërsa për informacionet e ofruara paguhej deri në 700 euro në muaj.
Aktakuza po ashtu pretendon se Selimi kishte udhëtuar në Siri më 2015 me mision të caktuar nga BIA dhe kishte raportuar mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve në ISIS.
Në vitin 2022, ai ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.