Ish-kryeministri Sharif dhe aleatët arrijnë marrëveshje koalicioni në Pakistan
Partia e ish-kryeministrit Nawaz Sharif dhe aleatët e saj të martën vonë njoftuan se do të formojnë së bashku një koalicion qeveritar, duke i dhënë fund paqartësisë që nga java e kaluar, kur asnjëra parti nuk fitoi shumicë të votave në zgjedhjet parlamentare.
Zhvillimi i ri erdhi disa orë pas takimit të partive – të gjitha rivale të ish-kryeministrit të burgosur, Imran Khan – në Islamabad, raporton agjencia “Associated Press”.
Në takim morën pjesë Partia Popullore e Pakistanit e ish-presidentit Asif Ali Zardari dhe Lidhja Myslimane e Pakistanit e ish-kryeministrit Sharif, përfshirë vëllanë e tij më të ri, Shehbaz Sharif, i cilie zëvendësoi Khanin, kur ai ishte rrëzuar nga pushteti përmes mocionit të mosbesimit më 2022.
Në një konferencë për gazetarë me Zardarin dhe me politikanë të tjerë, Shehbaz Sharifi nuk tregoi se kush do të jetë zgjedhja e përbashkët për kryeministër, edhe pse besohet gjerësisht se vetë Sharifi do ta udhëheqë qeverinë e re. Në komentet e shkurtra, ai tha se bisedimet për koalicion ishin të suksesshme.
“Ne kemi vendosur që do ta formojmë qeverinë së bashku” – tha Zardari.
Lidhja Myslimane e Pakistanit ishte në bisedime me Zardarin dhe me aleatë të tjerë pas zgjedhjeve të së enjtes për Asamble Kombëtare.
Edhe pse kandidatët e përkrahur nga partia e Khanit fituan gjithsej 93 nga 265 ulëset e Asamblesë Kombëtare, kjo shifër nuk qe e mjaftueshme për ta formuar qeverinë.