Ish-këshilltari i Thaçit: Kurti është duke e rrjepur vetveten politikisht
Adil Behramaj ish-këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vetëm për ta mbajtur pushtetin, ka hequr dorë nga të gjitha qëndrimet me të cilat ka ndërtuar kauza politike.
Statusi i plotë:
Që nga 2013-ta, plot 10 vjet, ka djegur institucione, ka shpallur tradhtarë dhe e ka penguar zhvillimin normal, liberalizimin, integrimin dhe forcimin e shtetit, duke bllokuar vazhdimisht procese. E tash, veç për ta ruajtur karrigen e kryeministrit, po i kapërdin të gjitha ato me të cilat ka abuzuar politikisht dhe ka mashtruar. Albin Kurtit tani i ka mbetur vetëm surrati, pa asnjë vlerë. Ka mbetur një mashtrues, me kurriz të thyer, që e mohon edhe vetveten dhe nuk tregon kurrfarë konsiderate as për shkarravitjet 15 vjeçare për kauza të rreme. Madje, as për viktimat e politikës së tij, të cilat i përdori për të ardhur në pushtet.
Albin Kurti tani është duke e rrjepur vetveten politikisht, sepse të gjitha ato që i ka kundërshtuar do t’i pranojë!
