Ish-guvernatori i Bankës Qendrore: Remitencat duhet të orientohen më shumë tek investimet
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se remitancat e emigrantëve në Kosovë duhet të orientohen më shumë drejt investimeve, pasi, sipas tij, në masë të madhe shkojnë për konsum.
Mehmeti tha më tej për Ekonomia Online se kanë të gatshëm një databazë e cila do të mundësonte identifikimin e dërgesave duke shtuar se kjo do t'u mundësonte informata "rreth aktiviteteve të tyre të cilat ata i kanë në vendet ku veprojnë dhe punojnë".
“Kryesisht remitencat janë të orientuara në konsum, konsumi është një prej atyre kategorive që në masë të madhe po e ndikon në rritjen ekonomike në vend dhe sipas një analize që e kemi bërë vërehet se remitencat në masë të madhe e ndikojnë edhe likuiditetin e sektorit bankar, kjo vërehet sidomos në periudhën kur diaspora është në Kosovë në sezonen e verës. Ajo çka duhet të punohet është që më shumë që këto para që vijnë dhe që janë të orientuara në konsum, të punohet në drejtim të asaj që të orientohen ka investimet", tha ai.
“Ende Kosova nuk e ka një databazë të diasporës. Ne si Institut jemi duke punuar, kemi një projekt të gatshëm për të krijuar një databazë të diasporës së Kosovës ku do të kishte mundësi të identifikohen krejt diaspora, ku ndodhë dhe cilat janë bizneset e tyre më të suksesshme dhe kjo në masë të madhe do të na jepte informata më të plota rreth aktiviteteve të tyre të cilat ata i kanë në vendet ku veprojnë dhe punojnë”, u shpreh Mehmeti.