Ish-gazetarja italiane për Speciale: Logjika e gabuar gjyqësore ka pasoja shkatërruese për njerëzit e pafajshëm
Ish-gazetarja italiane Anna Di Lellio, e cila ka shërbyer në misionin e Kombeve të Bashkuara në vitet e pasluftës në Kosovë ka folur për Gjykatën Speciale.
Di Lellio që ka botuar librin “Lidhja më e fuqishme” së bashku me gazetaren Garentina Kraja, ku dokumentohen krimet e luftës dhe dhunës seksuale ndaj grave.
Në një shkrim autorial për konferencën “Urat e kujtimit”, ajo është deklaruar edhe për Dhomat e Posaçme në Hagë, që janë para verdiktit në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Ajo ka vlerësuar se e “çdo diskutim mbi pajtimin – në Kosovë dhe gjetkë – duhet të trajtojë pyetje themelore si: “Pajtim mes kujt?” dhe “Pajtim për çka?”.
“Në konferencën ‘Urat e Kujtimit’ zhvillohej një diskutim mbi Dhomat e Specializuara nga ekspertë të drejtësisë, ku më bëri përshtypje kritika ndaj mungesës së transparencës dhe praktikave të dobëta të mbledhjes dhe vlerësimit të provave”, ka vlerësuar ajo.
Ndër të tjera, Di Lellio ka theksuar se diskutimi për Gjykatën Speciale ia “kujtoi paralajmërimin e historianit të Universitetit të Stanfordit, Carlo Ginzburg.
Ky i fundit, vite më parë kishte treguar se cfarë kujdesi do të duhej të kishin gjyqtarët.
“Megjithëse historianët dhe gjyqtarët duhet të lidhin me kujdes dëshmitë me provat materiale, logjika e gabuar gjyqësore e bazuar në prova rrethanore, ndryshe nga gabimet historike që mund të korrigjohen, ka pasoja veçanërisht shkatërruese për njerëzit e pafajshëm dhe për vetë drejtësinë.”, është shprehur ajo.