Ish-drejtori i Policisë: Albulena Haxhiu tani do të duhej të ishte ish-ministre e Drejtësisë - NACIONALE

Ish-drejtori i Policisë: Albulena Haxhiu tani do të duhej të ishte ish-ministre e Drejtësisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë pezulluar nga puna pas zhdukjes së mostrave të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ish-drejtor i Policisë, Rashit Qalaj e ka fajësuar edhe ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se Albulena Haxhiu do të duhej dorëhequr tani nga pozita e ministres.

“Po të ishte një ministre që mendon pozitivisht, nuk do të kishim folur se a duhet të jep dorëheqje, kjo punë do të duhej kryer. Opozitarët e atëhershëm, gjithmonë kanë akuzuar krerët e institucioneve, duke kërkuar hetime penale ndaj tyre, ky rast duhet të trajtohet njëjtë. Zonja Haxhiu do të duhej të ishte ish-ministre e Drejtësisë në këtë rast.” – ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Ndërkaq, zyrtarët e pezulluar janë:

Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore

Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore

Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore

Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore

Çfarë ndodhi?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot alarmoi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se qasje në vendin ku ruheshin epruvetat e rastit Dehari, kanë vetëm tre persona. Si rrjedhojë, ajo tha se mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.

Për këtë çështje, ajo tha se i ka njoftuar prokurorinë e shtetit dhe policinë.

“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- ka thënë Haxhiu.

Ajo shtoi më tej se i di emrat e personave që kishin qasje në vendin ku ruheshin epruvetat.

“Unë i di emrat e personave që kanë qasje, por s’mund t’i them ata, sepse të njëjtit i dinë policia dhe prokuroria.”

Më tej, ministrja u shpreh që dyshon se kjo ka qenë e planifikuar, por se, megjithatë, “fjalën e fundit do ta thotë prokuroria.”

“Nuk jam eksperte që të tregoj se a e dëmton rastin apo jo, vetëm jam e thirrur të tregoj një gjendje faktike” – vazhdoi ajo.

Tutje, ministrja Haxhiu ka deklaruar se ky “akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj”.

“Ne besojmë se ky akt i rëndë e kriminal, që ka ndodhur në ambientet që do të duhej të ishin të mbrojtura e të sigurta brenda IML-së, ka për qëllim ta dëmtojë edhe më tutje këtë proces dhe të na veshë neve me përgjegjësi. Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj. Situata e krijuar është tepër e rëndë. Të vendosë hije dyshimi në gjithë IML-në, por edhe në veprimtarinë e tij”- tha ajo.

Lajme të ngjashme