Ish-diplomati Petritsch: Ngjarjet si në Banjskë, s’duhet të ndodhin më kurrë
Wolfgang Petritsch, ish-diplomat i njohur austriak, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fakt, Petritsch është treguar skeptik në lidhje me të ardhmen e dialogut në vitin 2024. Sipas tij, dialogu do të ndikohet nga zgjedhjet në Serbi.
“Unë jam shumë skeptik për momentin. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se në Serbi ka zgjedhje, zgjedhjet janë pothuajse kohë të kontestimeve të forta dhe shkeljes së rregullave themelore demokratike. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj e mirëpres shumë forcimin e forcave ndërkombëtare atje.” – deklaroi ai.
Tutje, Petritsch, që dikur ishte i dërguar i posaçëm i BE-së në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Vjenë, theksoi se sulmet si në Banjskë të Zveçanit nuk duhet të ndodhin më kurrë.
“Fatkeqësisht ne kemi parë një përplasje ekstremiste në shtator të këtij viti, kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë, dhe mendoj se KFOR-i tani është në gatishmëri dhe do të parandalojë çdo incident të tillë në të ardhmen.” - thotë ai.