Ish-deputeti i Guxo me akuza të ashpra për Gërvallën dhe Pecin: Kanë devijuar nga kauza
Ish-deputeti i partisë Guxo, Burim Meta, ka kritikuar ashpër udhëheqësit aktual të kësaj partie.
Ai ka bërë me dije se Donika Gërvalla dhe Faton Peci kanë devijuar nga kauza që kishin në fillim.
Në një prononcim për Express, ai ka vlerësuar se ata nuk e përfaqësojnë strukturën partiake.
“Zonja Gërvalla dhe zoti Peci janë dy personat të cilët janë më së paku autoritativë në partinë Guxo. Ata vetëm i mbajnë ato pozita të kryetarëve, por e tërë struktura, e tërë anëtarësia e Guxo-s nuk përkon me veprimet e këtyre dy personave. Kështu që, Guxo natyrisht, do të duhej të kishte krejt tjetër dinamikë ideologjike sesa atë që e kanë propagandu ata”, ka thënë ai.
Duke i komentuar largimet e fundit nga kjo parti, ai ka thënë se Guxo duhet të braktiset.
“Bashkëkryetarët kanë devijuar nga kauza mbi të cilën është krijuar Guxo, dhe këtë unë e kam thënë para tri vitesh. Këta e kanë thënë pak me vonesë. Shumë me vonesë. Është dashur shumë më heret, që t’u merret partia këtyre dy personave, e jo të shkojmë ne nëpër dorëheqje të tilla”, është shprehur ai.