Ish-ambasadsori Bosch flet për dëshminë e Clark në Hagë: Mendoj që krerët e UÇK-së do të lirohen
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka komentuar procesin në Gjykatën Speciale të Hagës.
Bosch ka folur edhe për dëshminë e Wesley Clark në Hagë.
“Ai (Wesley Clark) ende nuk e ka dhënë deklaratën, por unë e di sigurisht se çfarë do të thotë. Ai do të përsërisë të njëjtën gjë që kanë thënë edhe të tjerët: se brenda UÇK-së nuk ka pasur një organizim të tipit hierarkik, nga lart-poshtë apo çfarëdo forme tjetër të centralizuar. UÇK-ja ka qenë një organizatë e decentralizuar. Këtë do ta konfirmojë me siguri, sepse natyrisht nuk do t’i kundërvihet kolegëve të tij. Dhe në fakt, ai ishte personi nga i cili unë zakonisht merrja informacionet kur merrja pjesë në ato përditësime. Procesi po ecën shumë ngadalë, siç dihet, por tani të paktën po mundohen ta finalizojnë me dëshmitarët e prokurorisë. Sipas asaj që mbaj mend dhe di, kjo fazë do të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërsa aktgjykimi pritet vitin e ardhshëm. Megjithatë, siç e kam thënë edhe më herët, mendoj se aktgjykimi do të rezultojë me lirimin e të gjithëve”, tha ai për EO.