Ironia e gjykatësit që dënoi me vdekje Assadin: Dikur ishte dënuar me vdekje nga regjimi i tij
Bashar al-Assad është dënuar me vdekje nga një gjykatë në Damask, pasi u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë luftës civile siriane, e cila nisi në vitin 2011.
Vendimi u bë i ditur nga gjykatësi Fakhr al-Din al-Arian, në një rast me një ironi të veçantë: ai vetë ishte dënuar me vdekje disa vite më parë nga regjimi i Assadit.
Al-Arian ishte gjykatës apeli në Idlib kur "dezertoi" publikisht në vitin 2013. Regjimi e dënoi me vdekje në mungesë, ia konfiskoi pronën dhe e nxori atë në ankand. Ai kaloi më shumë se një dekadë në mërgim.
Pas largimit të Assadit drejt Rusisë, në dhjetor 2024, al-Arian u kthye në Siri dhe, me dekret presidencial, u rikthye në detyrë.
Ai aktualisht drejton Gjykatën e Katërt Penale në Damask, e cila ka dënuar në mungesë ish-presidentin Bashar al-Assad dhe vëllain e tij, Maher al-Assad, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Gjatë 14 viteve të luftës në Siri, rreth gjysmë milioni njerëz humbën jetën.
Bashar al-Assad, i cili e drejtoi Sirinë për gati 25 vjet, u largua nga vendi në dhjetor 2024 dhe u vendos në Rusi, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qeverisur Sirinë që nga viti 1963.
Në janar të vitit pasardhës u formua një administratë e re kalimtare, e drejtuar nga presidenti Ahmad al-Sarrah.
Që nga rrëzimi i Assadit, autoritetet e reja siriane kanë ndërmarrë reforma politike dhe ekonomike, ndërsa synojnë forcimin e kohezionit shoqëror dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë.