IPK rekomandon Policinë ta suspendojë komandantin rajonal të Mitrovicës së Veriut
Inspektoriati Policor i Kosovës, me anë të një komunikate, ka rekomanduar suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut Nenad Gjuriq.
Gjurigj dje doli në konferencë për media, ku paralajmëroi se nuk do të zbatohet vendimi i Qeverisë për targat.
Ai tha se nuk do të respektojë vendimin, për qortimin e vozitësve, të cilët bartin targa ilegale.
Sipas IPK-së, Gjuriq, ka kryer edhe veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë”.
Komunikata e plotë:
IPK rekomandon suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut.
Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.