Inspektorati do të hetoj dhe inspektoj konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do ta hetoj konkursin e hapur nga Policia e Kosovës për gradimin e zyrtarëve të Policisë në gradën e rreshterit, ku me datën 04.05.2024 është mbajtur testi me shkrim për këtë konkurs.
IPK ka bërë të ditur se kanë pranuar disa ankesa dhe informacione nga burime të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit të këtij konkursi me pretendime për shkelje të ndryshme.
“Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale.” – thuhet në njoftim.
IPK ka shkruar në njoftim se varësisht nga të gjeturat do të ndërmerr veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore.