Indonezia e ndalon me ligj marrëdhënien intime jashtëmartesore
Kuvendi i Indonezisë ka miratuar një kod të ri penal, me të cilin marrëdhëniet intime jashtëmartesore do të jenë të dënueshme me deri në një vit burgim.
Kjo masë është pjesë e një vargu ndryshimesh për të cilat kritikët thonë se do t’i dëmtojnë liritë demokratike, raporton televizioni BBC.
Kodi i ri penal nuk do të hyjë në fuqi për tri vite të tjera dhe në të përfshihen edhe ndalimi i fyerjeve ndaj presidentit dhe ndalimi i shprehjes së pikëpamjeve që bien ndesh me ideologjinë shtetërore.
Disa grupe të vogla mbajtën protesta para ndërtesës së kuvendit këtë javë.
Kodi që do të vlejë për indonezianët dhe të huajt, përfshin disa ligje të moralit dhe i bën të paligjshme bashkëjetesën e marrëdhëniet intime të çifteve të pamartuara, përcjell gazeta Nacionale.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se ky kod i prek në mënyrë joproporcionale gratë, pjesëtarët e komunitetit LGBT dhe pakicat etnike.