Ilir Deda: Presidenti duhet të jetë faktor unifikues dhe garant i rendit kushtetues - NACIONALE

Ilir Deda: Presidenti duhet të jetë faktor unifikues dhe garant i rendit kushtetues

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Opinionisti Ilir Deda ka shkruar se Kosova ka nevojë për një president që e ushtron funksionin me “kuptim të plotë të përgjegjësisë kushtetuese dhe detyrave që i takojnë presidencës”. Sipas tij, në vend është krijuar “një kulturë sipërfaqësore dhe formale e ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore, pa substancë reale”.

Deda ka vlerësuar se roli i presidentit shkon përtej balancit institucional, duke qenë kyç në ndërtimin e kohezionit politik dhe të traditës shtetërore, raporton Gazeta Express. “Ushtrimi i kësaj detyre ka rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e kohezionit politik dhe në fillimin e ndërtimit të vonuar të traditës shtetërore”, ka thënë ai.

Sipas Dedës, presidenti duhet të ketë rol unifikues, duke u shndërruar në “vendtakim të aktorëve politikë e shoqërorë” dhe duke shërbyer si urë për tejkalimin e polarizimit të brendshëm. Ai ka theksuar se në këtë rol kërkohet ndjeshmëri e lartë ndaj komuniteteve joshumicë dhe reagim i qartë kundër çdo shkeljeje të të drejtave të njeriut.

Deda ka shtuar se presidenca është adresë qendrore për ruajtjen e rendit dhe kulturës demokratike, përfshirë pavarësinë e drejtësisë, ndërsa ka nënvizuar se “patriotizmi kushtetues është kyç”. Ai ka bërë thirrje që presidenti i ardhshëm të zgjidhet me konsensus të gjerë, idealisht me 80 vota, dhe në të ardhmen të shqyrtohet zgjedhja e drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Lajme të ngjashme