IKSHPK del me analizë për helmimin me ujë në Hanin e Elezit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar rreth analizës e cila është bërë në qytetin e Hanit të Elezit, ku si shkak i ujit të pijës shumë qytetarë kishin kërkuar trajtim në QKMF-në e qytetit.
Nga kjo analizë thuhet se janë gjetur baktere të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale në ujin e pijes së fshatit Gorancë.
“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale. Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”, thotë IKSHPK.
“Për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervuari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese në IKSHPK-së. Dy mostra të ujit të marra në fshatin Seqishtë dhe Gorancë me datë 11.07.2022, sipas aspektit fiziko-kimik janë në përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012”.