Ibrahimi: Mosfunksionimi i institucioneve qendrore ka ndikim negativ edhe në funksionimin e pushtetit lokal
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka vlerësuar se mosfunksionimi i institucioneve qendrore po ka ndikim negativ edhe në funksionimin e pushtetit lokal.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se shumë mjete financiare që janë të zotuara nga BE-ja nuk mund të tërhiqen nga Kosova për shkak se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen në Kuvend.
“Mosfunksionimi i institucioneve qendrore ka ndikim negativ edhe në funksionimin e pushtetit lokal, problematika është shumë dimensionale, si nga aspekti financiar por edhe legjislativ. Shumë mjete financiare që janë të zotuara nga BE, nuk mund të thithen nga Kosova për shkak se duhet një marrëveshje ndërkombëtare, ku me dhjetëra miliona euro shkojnë edhe në nivel lokal. Për shkak të masave të BE-së, shumë projekte në nivel lokal që kanë qenë të planifikuara nuk mund të zbatohen apo janë ndërprerë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Komunave u janë duke u marrë mjete financiare të shumta për shkak të zbatimit të shumtë të lëndëve gjyqësore, në veçanti procedurat përmbarimore gjyqësore që kanë të bëjnë me kontratat kolektive. Gjatë këtyre tre vite e gjysmë, komunave u janë marrë padrejtësisht mbi 210 milionë euro, ku shumica absolute e tyre janë marrë për shkak të zbatimit të kontratave kolektive, ku komunat nuk kanë asnjë faj të vetëm për këtë çështje. Me qindra miliona euro nuk kanë mundur të përkthehen në investime kapitale, në subvencione, mallra dhe shërbime për shkak të kontratave kolektive dhe mospërgatitjes së nivelit qendror për ta zgjidhur këtë problem”, është shprehur ai.