“Ia përplasi kokën për tokë disa herë”: Kërkohet 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e gruas në Prizren - NACIONALE

“Ia përplasi kokën për tokë disa herë”: Kërkohet 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e gruas në Prizren

1 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj B.D., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari më 26 gusht 2026, rreth orës 00:05, në shtëpinë e tij familjare në Prizren, pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, L.D., dyshohet se e ka sulmuar fizikisht atë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se B.D. dyshohet se e ka goditur dhe përplasur disa herë kokën e viktimës në tokë, si pasojë e së cilës ajo ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, sipas kërkesës për paraburgim, pas ngjarjes i dyshuari dyshohet se ka tentuar të fshijë gjurmët e rastit, ndërsa më pas ka njoftuar familjarët.

B.D. aktualisht ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se kërkesa është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se B.D. ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme