I mbijetuari i masakrës së Gjakovës rrëfen tmerrin e momentit kur forcat serbe vranë vëllain e tij 5-vjeçar
Bekim Demjaha, një nga të mbijetuarit e masakrës së 1-2 prillit 1999 në Gjakovë, ka rrëfyer për herë të parë detajet e tmerrshme të asaj dite. Gjatë një interviste për Frontal në T7, ai ka tregua disa nga ngjarjet e asaj dite të rëndë ku forcat serbe ua morën jetën anëtarëve të familjes së tij.
Të vetëdijshëm për rrezikun e qëndrimit në shtëpinë e tyre, ata u larguan për të shpëtuar, por përballën një situatë ende më të rëndë në shtëpinë e dajës së tij.
“Mes 1 edhe 2 prillit, ne u larguam nga shtëpia jonë dhe shkuam te daja. Aty hasëm në disa policë me të cilët bisedonte babai im. Iu tha që po shkojmë të miqtë. Kena vazhdu dhe kena bujtë atje. Aty ishim rreth 16 persona, aty ishte më sigurtë se në atë lagje kishte shumë qytetarë serb që jetonin por ndodhi ndryshe”, tha ai.
Ndërkaq, tortura nuk ndalej aty. Bekimi tregon për humbjen e të dashurve të tij dhe torturën e tmerrshme që ata pësuan para se të largoheshin nga kjo botë.
“Frika ishte gjithmonë se krismat nuk u ndaleshin asnjëherë, problemi ishte mes 1 dhe 2 prilli kur NATO sulmoi serbët u nisën me u hakmarrë. Nisën te shtëpia e Mërgim Lleshit e pastaj nga ne. Ajo krisma e madhe që kërsiti – isha në gjumë, u çova e dola në korridor, si sot më kujtohet shtëpia e dajës ishte me hekra ku shihet gjithçka përpara. Nuk kanë kalu 5 minuta aty janë rreshtu paramilitarët serbë me maska e me thika. Filluan me thy derën, unë veçse ika prej aty, ne e kena llogaritë që nuk vijnë meqë kishte serbë. E mbaj mend shumë mirë njërin nga ta bashkë me kojshinë e tyre që kanë marrë pjesë bashkë, ata kanë qenë banorë lokal të Gjakovës”, tregoi ai.
“Unë vazhdova në një lagje tjetër, kur u futa aty brenda ishin diku rreth 700 persona. Më pas familjarët e mi erdhën aty por mungojke gjyshi, gjyshja, mama edhe vëllai. Vëllain e kanë therr me thikë. Ka dalë me thikë, Argjendin. Ai i ka pasë 5 vjet. Ka vazhdu jashtë te dera e oborrit. Aty ka dhanë shpirtë. Mamën e kanë vra me plumba. Kur e kena gjet trupin i ka pasë 15 plumba. Për krejt këto tortura që nuk janë ngi masi e kanë vra vëllain tem e kanë vendos në shtyllë elektrike për dy ditë”, tha ai më tej.