I dyshuari për sulmin ndaj Rushdie është i prirur ndaj ekstremizmit shiit - NACIONALE

I dyshuari për sulmin ndaj Rushdie është i prirur ndaj ekstremizmit shiit

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

I dyshuari për sulmin ndaj Salman Rushdie në skenën e Institucionit Chautauqui në shtetin e Nju Jorkut ka një prirje për ekstremizmin shiit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane (IRGC), raporton NBC New York, duke cituar burime policore.

Rushdie, shkrimtari i famshëm me origjinë indiane, i cili u fsheh për vite me radhë pasi Irani u bëri thirrje myslimanëve ta vrisnin për romanin e tij "Vargjet Satanike", u godit me thikë në qafë të premten në skenën e Institucionit Chautauqui, ku ishte planifikuar të mbaj një leksion. Pas disa orësh operacioni, Rushdie u vendos në një ventilator.

Sulmuesi është identifikuar

Policia e ka identifikuar të dyshuarin, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, si Hadi Matar. Bëhet fjalë për një 24-vjeçar nga Fairview, New Jersey, i cili ka blerë një biletë për leksionin.

Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse Matar ka një avokat.

Një rishikim paraprak policor i profileve të mediave sociale të Matar zbuloi se ai kishte lidhje me ekstremizmin shiit dhe IRGC, raportoi NBC New York, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të policisë të njohur me hetimin për sulmin.

Matar ka lindur në Kaliforni dhe së fundmi është zhvendosur në Nju Xhersi, shkruan NBC New York, duke shtuar se me vete kishte një patentë shoferi false.

Të premten mbrëma, zyrtarët e FBI shkuan për të hetuar vendbanimin e tij të fundit të raportuar, në Fairview, Bergen County, i cili ndahet nga Manhattan nga lumi Hudson, raportoi NBC.

Policia në New York dhe New Jersey ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Reuters për koment mbi raportin e NBC New York. /Nacionale/

Lajme të ngjashme