Hyseni: Dorëheqja e Sejdiut dhe rënia e Qeverisë Thaçi ndikuan në mosshfrytëzimin e mendimit të GJND-së
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka pranuar se diplomacia e Kosovës nuk e ka materializuar sa duhet mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar se kanë qenë disa veprime të politikës së brendshme të cilat kanë ndikuar që mendimi i gjykatës të mos shfrytëzohet ashtu siç duhet.
“Vende të ndryshme kanë edhe arsye të ndryshme. Ka vende që kanë frikë nga precedentët që mund të prodhojë njohja në vet vendet e tyre. Sidoqoftë mendoj se nuk është punuar mjaft nga diplomacia e Kosovës që të afirmohet sa duhet mendimi i GJND-së, i cili Kosovën edhe e ka kualifikuar si rast të veçantë, sui generis. Po ashtu, kujtoj se dorëheqja e Presidentit Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe, rrjedhimisht rënia e qeverisë vetëm 2 muaj pas kësaj fitoreje dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme ka ndikuar në mosmaterializimin sa duhet të mendimit të GJND-së. Sidoqoftë fitorja në GJND nuk mund të zbehet nga asgjë sepse është vulë e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga vet organi kryesor juridik i OKB-së. Dhe kjo vulë mbetet valide përjetësisht”, ka thënë Hyseni.