Humb jetën një zyrtar policor në një aksident trafiku në Vërmicë
Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën në një aksident trafiku që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth orës 02:30, në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima, R.G., 59 vjeç, ishte në detyrë dhe po patrullonte në këmbë kur tentoi të kalonte rrugën. Në atë moment ai u godit nga një automjet që po lëvizte në drejtimin Prizren–Vërmicë. Si pasojë e lëndimeve të marra, polici ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prizren.