Hoxhaj për Habermas: Ishte zë i fuqishëm i demokracisë dhe mbështetës i Kosovës
Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas vdekjes së filozofit të njohur gjerman Jürgen Habermas, duke e cilësuar atë si një nga mendimtarët më me ndikim të kohës sonë në çështjet e demokracisë, drejtësisë dhe lirisë.
Hoxhaj ka theksuar se Habermas e kishte emancipimin e njeriut si qëllim themelor dhe besonte se vendimmarrja demokratike duhet të ndërtohet mbi diskursin racional dhe shkëmbimin e argumenteve, e jo mbi manipulimin.
Sipas tij, filozofi gjerman ishte një zë i fuqishëm i drejtësisë, i cili kundërshtoi brutalitetin e luftës dhe mbështeti përgjegjësinë ndërkombëtare. Hoxhaj ka kujtuar gjithashtu se Habermas mbrojti fuqishëm shqiptarët e Kosovës në vitin 1999, duke përkrahur ndërhyrjen e NATO dhe duke theksuar se viktimat nuk duhet të braktisen përballë dhunës dhe padrejtësisë.
Ai shtoi se ende e ruan artikullin e Habermasit në mbështetje të Kosovës nga ajo kohë dhe se për më shumë se 30 vjet ka qenë një lexues i pasionuar i veprës së tij.