Hoxhaj: Kurti e ka cenuar rendin kushtetues, PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për “puç kushtetues”, duke paralajmëruar se partia e tij do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do ta kontestojë në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
“Së pari, në këtë vend janë të ndara pushtetet. Duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Dhe meqë zoti Kurti në këto katër javët e fundit ka bërë një puç kushtetues, të cilin puç kushtetues ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka deklaruar Hoxhaj për eo.
Sipas tij, Kosova nuk ndodhet më në një situatë normale demokratike, ndërsa ka akuzuar Kurtin se ka cenuar rendin kushtetues dhe vullnetin politik.
“Rikthimin e demokracisë, rikthimin e rendit kushtetues e shohim vetëm kur të konstituohet Kuvendi”, është shprehur ai.
Hoxhaj ka deklaruar gjithashtu se deputetët e PDK-së do ta mbështesnin Hashim Thaçin për president, nëse ai do të vendoste të rikthehej në këtë pozitë, duke theksuar se fillimisht duhet pritur vendimi i Gjykatës.