Hoxha i VV-së kritikon Borrellin dhe Lajçakun: Më shumë e njohin botën pro ruse
Aktivisti i VV-së, Elvis Hoxha, nuk i ka ndalur kritikat ndaj ndërmjetësuesve të BE-së në procesin e dialogur Kosovë-Serbi.
Në një opinion të botuar në RrugaPress, ai ka shkruar se Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak, duke ardhur nga vendet që nuk e njohin Kosovën, më shumë e njohin boten pro ruse.
“Dihet tashmë, por duhet të bëhet edhe më e ditur botërisht se Kosova është pro-euroatlantike dhe Serbia do të jetë gjithnjë pro-ruse. Përfaqësuesit negociatorë, duke ardhur nga shtete që nuk e njohin Kosovën, më shumë njohin Serbinë, pra, më shumë njohin kahjen tjetër, atë pro-ruse të botës, sesa kahjen e Evropës që i ka dërguar. Kjo duhet të ndihet si shenjë e keqe për Evropën nga shtetet anëtarë të saj dhe nga institucionet e saj qeverisëse. Sepse këta negociatorë do të përpiqen të fshehin natyrën mesjetare të Serbisë së Miroslavit mbi të cilin deklaron se betohet Vuçiç”, ka shkruar Hoxha.
Ai ka vlerësuar se Kosova nuk do të dëmtohet në këtë proces përderisa respekton Kushtetutën e saj.
“Kosova nuk dëmtohet sa kohë që qëndron në proces, nëse niset nga kushti i vetëm: konsiderimi i saj maksimal i Kushtetutës me limitin që kanë parashkruar në këtë kushtetutë vetë evropianët, përmes Ahtisaarit, ai i multietnicitetit. Kosova nuk dëmtohet përsaqë e vë Evropën përballë me vlerat e asaj vetë”, ka shkruar Hoxha.