Hoxha: Gjykata Speciale ka fyer shtetin e Kosovës
Ish-deputetja Eliza Hoxha ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se mënyra e procedimit dhe shpalljes së verdikteve cenon dinjitetin shtetëror të Kosovës.
Gjatë një interviste në Info Magazine në Klan Kosova, Hoxha theksoi se “Shteti i Kosovës është fyer në mënyra të ndryshme gjatë këtij procesi të Dhomave të Specializuara. Fyerja tjetër shkon në idenë e shpalljeve të verdikteve”.
Sipas saj, ekziston një paradoks mes gjykimit individual dhe cilësimit të veprave si ndërmarrje e përbashkët.
“Thuhet që këta gjykohen veç e veç, e u jepen vendime të prera me një thikë, nën një pako”, u shpreh ajo.
Hoxha e përshkroi qasjen e gjykatës si të pakuptimtë, duke thënë se “është absurd i llojit të vet se si është shtruar e gjithë gjëja”.
Ajo paralajmëroi se kjo metodologji i ngjan praktikave të sistemeve jodemokratike.
“E pamundur në demokracitë liberale të flasësh në shumës, të gjykosh në shumës dhe në grup dhe t’u japësh vendime në emër të popullit në shumës, sepse kjo pastaj kalon në regjime totalitare”, përfundoi ish-deputetja.