Hoti reagon pas letrës së hapur nga ShBA-ja për gazin amerikan: Kurti dhe sejmenët e tij e anuluan, jam krenar që e mbrojta
Kandidati për deputet nga rradhët e LDK-së, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas letrës së hapur nga Prattipati e cila i bëri thirrje Kosovës që të pozicionohet për gazin amerikan, duke numëruar përfitimet e Kosovës në stabilitet me energji si dhe ikjes nga ndikimi rus. Hoti sqaroi se Kurti e ka kundërshtuar dhe anuluar këtë projekt, derisa ishte vet Hoti që e mbrojti të njejtin, përçka tha se është krenar.
E plotë:
Centrali energjetik me gaz amerikan – projekti që u anulua nga Kurti dhe sejmenët e tij – i ka kushtuar secilës familje kosovare mijëra euro dhe i ka shkaktuar Kosovës humbje të mëdha strategjike.
Siç u dëshmua edhe sot nga mesazhi i qartë i diplomacisë amerikane, ky projekt nuk ka qenë thjesht një investim energjetik. Ai është esencial për pavarësinë energjetike të Kosovës, për sigurinë tonë ekonomike dhe për forcimin e partneritetit me aleatin tonë më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë që vendet e rajonit kanë lëvizur përpara dhe kanë përqafuar mundësitë që ofrojnë projektet energjetike amerikane, Kosova ka mbetur prapa për shkak të vendimeve të gabuara, të motivuara më shumë nga kalkulimet politike sesa nga interesi shtetëror.
Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projekti dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar.
Jam krenar që e kam mbrojtur këtë projekt bashkë me shumë kolegë, në një kohë kur shumica dërrmuese e lidershipit politik në Kosovë ose heshtte, ose e neglizhonte, ose e kritikonte.
Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë se anulimi i tij ishte një gabim i madh strategjik, pasojat e të cilit po i paguajnë qytetarët e Kosovës.
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj energjetike duke refuzuar alternativat që e bëjnë më të pavarur, më të zhvilluar dhe më të lidhur me botën perëndimore.
Koha për ta korrigjuar këtë gabim është më 7 qershor