Hoti: Qeveria po paguan punëtorët më të mirë që të largohen nga Telekomi
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është deklaruar për kredinë që ia ka dhënë qeveria Telekomit për largimin e puëntorëve nga puna. Kredi kjo e cila ka shërbyer për t’i dhënë pagë 24 mujore punëtorëve të cilët heqin dorë nga puna e tyre në Telekom.
Hoti ka thënë se kjo politikë është e gabueshme.
“Sot në seancë u sqarua se Qeveria i ka dhënë kredi Telekomit mbi 6 milionë euro për largimin e punëtorëve nga puna, ku ata që duan të largohen marrin 24 paga mujore.
Kjo politikë është e gabueshme. Duke mos vendosur kritere të qarta se kush mund të largohet, në mënyrë që të mbahen punëtorët më profesional, kjo qasje po rezulton me largimin e punëtorëve më të mirë pasi ata kanë alternativa më të mira në tregun e punës.
Si rezultat, Telekomi po mbetet pa inxhinierët më të mirë dhe do të detyrohet të shpallë konkurs së shpejti”, ka shkruar Hoti në Facebook.