Hoti: Qe një vit s’u emërua anëtari nga sindikatat në Bordin e Trustit, është shkelje ligjore
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se po bëhen një vit nga mosemërimi i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional. Ai ka thënë se kjo është shkelje ligjore dhe duhet dhënë përgjegjësi.
“Të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi. Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë.” – ka shkruar ai.
“Sindikatat sot kanë të drejtë të padisin shtetin dhe këta tre zyrtarë për shkelje të ligjit. Neglizhenca për zbatim të ligjit është shkelje e ligjit, dhe shkelja e ligjit është vepër penale.” – ka shkruar Hoti në Facebook.
Statusi:
Mos emërimi për gati një vit i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit.
Të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi. Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë.
Fillimisht, Trusti u la pa bord për disa muaj, ku për pasojë miliarda euro mbetën pa menaxhim adekuat. Kur u emërua bordi para gati një viti, nuk u përfshi edhe anëtari nga sindikatat. Arsyet që u dhanë për këtë ishin se asnjëri nga aplikantët nuk i plotësonte kushtet ligjore. Nga ajo kohë nuk është rishpallur konkursi.
Përgjegjës për këtë neglizhencë janë Guvernatori i BQK-së, Ministri i Financave dhe Auditorja e Përgjithshmme. Këta tre zyrtarë të lartë të shtetit, që përfaqësojnë shtyllat e institucioneve që menaxhojnë e mbikëqyrin çështjet ekonomike e financiare në Kosovë, e kanë neglizhuar obligimin e tyre ligjor që punëtorët të kenë përfaqësuesin e tyre në Bordin e që menaxhon kursimet e tyre pensionale.
Kjo neglizhencë nuk ka si të mos jetë e qëllimshme. Gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie, sindikatat janë luftuar e janë neglizhuar. Ato nuk janë marrë parasysh në përgatitjen e ligjit të pagave, e as të ligjit për zyrtarët publik. Të dyja këto ligje kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dashur të ndryshohen.
Gjatë mandatit të kësaj qeverie, e cila veten e quan të majtë, ka rënë organizimi sindikal. Kjo dëshmohet nga përgjysmimi i pagesave të anëtarësisë në sindikata, që ka ardhur nga presioni i qeverisë ndaj sindikatave në nivele të ndryshme të organizimit sindikal dhe në forma të ndryshme.
Sindikatat sot kanë të drejtë të padisin shtetin dhe këta tre zyrtarë për shkelje të ligjit. Neglizhenca për zbatim të ligjit është shkelje e ligjit, dhe shkelja e ligjit është vepër penale.