Hoti pret që Kosova të rikthehet tek zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit: Të fokusohemi në ekonomi
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se në kohen e tij ka punuar ngushtë me aleatët.
Në tryezën për 4-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ai ka thënë se Qeveria Kurti raportet e mira me ShBA-të i ka kthyer në piken zero.
“Ne kemi punuar ngushtë me aleatët që çështja e Kosovës të jetë sfidë për integrim euroatlantik, e jo sfidë e sigurisë. Tash kam frikë se gjatë këtyre viteve jemi kthyer prapë në pikën zero ku Kosova trajtohet në tavolinat e aleatëve si problem i sigurisë. Nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe një aneks në Ohër”, ka thënë Hoti.
Ai pret që pas zgjedhjeve të shkurtit, Kosova t`i kthehet zbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Sot në vitin 2024 besoj që do të duhej të ishim në kulm të investimeve edhe në hekurudhë edhe në autostrada edhe në krijimin e portit në dalje të Prishtinës dhe më vie shumë keq që nuk kemi avancuar në projektin e gazit. Këto projekte nuk janë anuluar, por kemi humbur kohë shumë të vlefshme. Unë besoj që pas zgjedhjeve të ardhshme t’i kthehemi kësaj agjende. Ne nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrijmë një marrëveshje me Serbinë, andaj duhet të fokusohemi në ekonominë e vendit”, është shprehur ai.