Hoti paralajmëron aksion inspektimesh pas rasteve të vdekjes në vende të punës: “Siguria nuk është opsion”
Ministri për Punë, Andin Hoti, ka njoftuar se do të nisin një aksion të jashtëzakonshëm inspektimesh në mbarë Kosovën, me fokus sektorin e ndërtimtarisë, pas vdekjes së një punëtori në Ferizaj.
“Kjo gjendje nuk mund të injorohet më…çdo kompani që s’garanton siguri do të ndalet menjëherë”, deklaroi ai.
Sipas tij, aksioni do të zgjasë 15 ditë dhe do të përfshijë inspektime të zgjeruara, edhe gjatë festave.
Hoti paralajmëroi masa shtesë, përfshirë rritjen e stafit dhe përdorimin e teknologjisë si dronë dhe kamera.
“Siguria nuk është opsion, është detyrim ligjor”, tha ai.