Hoti: Dialogu ka degraduar në menaxhim të krizave dhe zbatim të asociacionit
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kuri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për degradim të procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Ai ka bërë me dije se në vitin 2018 kishte një konsensus të aleatëve dhe forcat politike në Kosovë, përfshirë edhe VV-në, se dialogu i Brukselit do të zhvillohet vetëm për marrëveshje.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se Qeveria Kurti e ka shkelur këtë konsensus.
“Degradimi i dialogut gjatë Qeverisë Kurti. Nga viti 2018, kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin për dialog të Qeverisë Haradinaj, aleatët dhe forcat politike në Kosovë, përfshirë edhe partinë që sot është në pushtet, janë dakorduar dhe kanë krijuar konsensus se dialogu do të zhvillohet vetëm për marrëveshje: 1. PËRFUNDIMTARE – e jo të ndërmjetme; 2. LIGJËRISHT TË OBLIGUESHME – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve; 3. ME GARANCI NDËRKOMBËTARE – ku BE dhe ShBA marrin zotimet për zbatim të marrëveshjes dhe për integrimin euro-atlantik të Kosovës; 4. PËR NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE – ku adresohen të gjitha çështjet vetëm sipas standardeve evropiane të fqinjësisë së mirë; dhe 5. PËR NJOHJE RECIPROKE”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se ditët në vijim do të tregojë në detaje për degradimin e këtij procesi.
“Çfarë ka ndodhur nga marsi 2021 e këndej? Përse u degradua dialogu në menaxhim të krizave dhe zbatim të asociacionit? Në ditët në vijim do ta shpalosi në detaje dhe me fakte si ka “evoluar” Kurti lidhur me dialogun nga takimi i parë deri në takimin e fundit, nga koha kur bënte opozitë të dhunshme e deri sot kur është i gatshëm të zbatojë asociacionin dhe të trajtohet si pikë e veçantë statusi i kishës ortodokse serbe” ka shkruar ai.