Hoti: 120 deputetë së shpejti marrin rrogën e gushtit pa punuar absolutisht asgjë
Ish-kryeministri i Kosovës si dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se së shpejti 120 deputetë e betuar të Kuvendit të Kosovës pritet t’i marrin rrogat pa punuar asnjë absulutisht asgjë.
Hoti ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të qershorit mundëson konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa ka kërkuar që gjatë muajve gusht dhe shtator të trajtohen çështje urgjente si rishikimi i buxhetit, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe mbikëqyrja parlamentare e Qeverisë.
Ai ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokimin e funksionimit të institucioneve.
Statusi i plotë:
Për disa ditë përmbyllet muaji gusht. 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës i pritet t’i marrin rrogat e tyre pa punuar absolutisht asgjë.
Rezultati i zgjedhjeve të qershorit është i qartë: partia e parë, së bashku me një pjesë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, e ka mundësinë ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë.
Pas këtyre veprimeve, do të vazhdonin negociatat mes partive politike për zgjedhjen e Presidentit, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.
Në ndërkohë, javët e gushtit dhe muaji shtator do të shfrytëzoheshin për punë konkrete dhe urgjente:
* rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili është dëmtuar dhe është bërë katrahurë me vendime arbitrare të Qeverisë në detyrë;
* ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos humben fondet, në veçanti fondet e BE-së në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor;
* mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë nga opozita, në veçanti shqyrtimi urgjent i raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat raporte nuk janë shqyrtuar as për vitin 2024.
Bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata, që në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit.